Tirana merr 80 për qind të rritjes ekonomike në 2024, qarqet e tjera mbeten pas
Tirana gjeneroi 80% të rritjes ekonomike të Shqipërisë në vitin 2024, ndërsa shumica e qarqeve mbetën pas.

Ekonomia shqiptare po përqendrohet gjithnjë e më shumë në Tiranë, ndërsa diferencat e zhvillimit ekonomik ndërmjet qarqeve vijojnë të thellohen. Të dhënat e INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) sipas rajoneve tregojnë se gjatë vitit 2024 kryeqyteti gjeneroi rreth 80% të rritjes ekonomike kombëtare, ndërsa qarqe si Shkodra, Dibra dhe Kukësi dhanë një kontribut pothuajse të papërfillshëm. Ekonomia shqiptare u rrit me 4.03% në terma realë gjatë vitit 2024, por nga kjo rritje, 3.24 pikë përqindje erdhën vetëm nga Tirana. Në vendin e dytë për kontributin në rritjen ekonomike u rendit Durrësi me 0.29 pikë përqindje, i ndjekur nga Vlora me 0.15 pikë përqindje.
Të dhënat konfirmojnë përqendrimin e fortë të aktivitetit ekonomik në kryeqytet, i cili vijon të zgjerojë peshën e tij në ekonominë kombëtare. Në vitin 2024, Tirana prodhoi 46.94% të PBB-së së Shqipërisë, nga 45.75% që përfaqësonte një vit më parë, duke regjistruar një rritje të peshës me 1.19 pikë përqindje. Në vlerë nominale, ekonomia e Tiranës arriti në rreth 1.18 trilionë lekë, ndërsa PBB-ja e përgjithshme e vendit ishte 2.52 trilionë lekë.
Tirana rritet me 7.08%, shumica e qarqeve shumë poshtë mesatares kombëtare
Diferencat ndërmjet qarqeve bëhen edhe më të dukshme kur krahasohen ritmet e rritjes ekonomike. Gjatë vitit 2024, Tirana regjistroi një rritje reale prej 7.08%, ndjeshëm mbi mesataren kombëtare prej 4.03%. Durrësi u rendit i dyti me një rritje prej 2.82%, ndërsa Vlora shënoi një zgjerim ekonomik prej 2.53%. Në pjesën tjetër të vendit, ritmet e rritjes ishin dukshëm më të ulëta. Elbasani dhe Berati regjistruan rritje prej 1.56% secili, Gjirokastra u zgjerua me 1.32%, Korça me 1.20% dhe Lezha me 1.19%.
Në fund të renditjes qëndrojnë Shkodra, me një rritje ekonomike prej vetëm 0.19%, Dibra me 0.27%, Fieri me 0.57% dhe Kukësi me 0.63%. Këto të dhëna tregojnë se, megjithëse ekonomia kombëtare u rrit me mbi 4%, pjesa më e madhe e qarqeve regjistroi ritme zgjerimi shumë më të ngadalta se mesatarja e vendit. Diferencat në ecurinë ekonomike po reflektohen edhe në shpërndarjen territoriale të prodhimit, pasi Tirana vijon të rrisë peshën e saj në PBB, ndërsa shumica e qarqeve të tjera po humbasin terren në strukturën e ekonomisë kombëtare.
Veriu dhe Jugu së bashku kontribuuan më pak në rritjen ekonomike sesa Tirana
Përqendrimi i aktivitetit ekonomik evidentohet edhe nga të dhënat sipas rajoneve statistikore. Rajoni Qendër, që përfshin Tiranën dhe Elbasanin, gjeneroi 52.87% të PBB-së kombëtare në vitin 2024, nga 51.87% një vit më parë. Ekonomia e këtij rajoni u rrit me 6.43% në terma realë, duke dhënë një kontribut prej 3.34 pikësh përqindje në rritjen ekonomike të vendit.
Në të njëjtën periudhë, rajoni Veri regjistroi një rritje ekonomike prej vetëm 1.60%, ndërsa rajoni Jug u zgjerua me 1.31%. Të dy rajonet së bashku kontribuuan me vetëm 0.69 pikë përqindje në rritjen ekonomike kombëtare, shumë më pak se kontributi prej 3.24 pikësh përqindje që dha vetëm Tirana. Në vitin 2024, rajoni Veri prodhoi 21.68% të PBB-së së Shqipërisë, ndërsa rajoni Jug kontribuoi me 25.45%. Të dyja rajonet regjistruan një rënie të peshës së tyre në ekonominë kombëtare krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërsa rajoni Qendër vijoi të forcojë pozicionin e tij.
PBB-ja për frymë në Tiranë arrin 1.56 milionë lekë, 2.7 herë më e lartë se në Kukës
Pabarazitë ekonomike ndërmjet qarqeve shfaqen edhe në treguesin e Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, i cili mat vlerën e prodhimit ekonomik të krijuar në një territor në raport me numrin e banorëve. Sipas INSTAT, PBB-ja mesatare për frymë në Shqipëri arriti në 1.06 milionë lekë gjatë vitit 2024. Tirana regjistroi nivelin më të lartë në vend, me 1.56 milionë lekë për frymë, ose 47% mbi mesataren kombëtare.
Në vendin e dytë u rendit Durrësi, me një PBB për frymë prej 1.15 milionë lekësh, rreth 8.8% mbi mesataren kombëtare. Pas tij renditet Fieri, me 1.03 milionë lekë për frymë, nivel që mbetet nën mesataren e vendit. Nga 12 qarqet e Shqipërisë, vetëm Tirana dhe Durrësi regjistruan PBB për frymë më të lartë se mesatarja kombëtare.
Në anën tjetër, Kukësi kishte nivelin më të ulët të PBB-së për frymë, me vetëm 568 mijë lekë, ose 46.3% nën mesataren kombëtare. Dibra regjistroi 610 mijë lekë për frymë, ndërsa Berati 613 mijë lekë, përkatësisht rreth 42.4% dhe 42.2% më pak se mesatarja e Shqipërisë. Diferenca ndërmjet Tiranës dhe Kukësit arrin në 2.7 herë, duke evidentuar hendekun e konsiderueshëm në kapacitetin ekonomik të qarqeve dhe përqendrimin e prodhimit në kryeqytet.
Megjithatë, duhet theksuar se PBB-ja për frymë nuk është e barabartë me të ardhurat që përfitojnë banorët e një territori. Ky tregues mat vlerën e aktivitetit ekonomik të krijuar në raport me popullsinë dhe nuk përfaqëson drejtpërdrejt pagat, të ardhurat familjare apo nivelin e mirëqenies individuale.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)